100 eurot për sektorin privat ekzekutohen sot, Ministria jep mundësi për riaplikim në rast gabimesh
Punëtorët e sektorit privat pritet t’i marrin sot mjetet financiare në vlerë prej 100 eurosh, të ndara në kuadër të Pakos për Përballje me Inflacionin 2.0. Lajmin e ka konfirmuar për media zëvendësministri i Financave, Hysni Mehani, i cili bëri të ditur se ekzekutimi i mjeteve pritet të realizohet gjatë ditës së sotme. “Po, sot pritet të ekzekutohen mjetet”, ka deklaruar Mehani. Ndërkohë, Ministria e Financave ka njoftuar se qytetarët që kanë bërë gabime gjatë aplikimit nuk do të mbeten pa mbështetje financiare. Sipas Mehanit, të gjithë aplikuesit që kanë hasur në probleme ose kanë bërë gabime gjatë plotësimit të të dhënave do të kenë mundësi të riaplikojnë, ndërsa rastet e tyre do të shqyrtohen nga komisionet përkatëse. Kujtojmë se më 22 maj 2026, Qeveria e Kosovës miratoi Pakon për Përballje me Inflacionin 2.0, e cila parasheh mbështetje financiare të njëhershme prej 100 eurosh për disa kategori të qytetarëve. Përfitues të kësaj mbështetjeje janë pensionistët, fëmijët, punonjësit e sektorit jopublik dhe studentët aktivë.