Qendrore

Paguhej deri në 700 euro në muaj nga BIA, Hysri Selimi dënohet me 6 vjet burgim për spiunazh

15.06.2026. 2 min čitanja

  Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim dënues ndaj Hysri Selimit, duke e dënuar me 6 vjet burgim për veprën penale të spiunazhit.   Vendimi u shpall të hënën nga trupi gjykues i kryesuar nga Leon Përlaska, me anëtarë Medie Bytyqi dhe Kushtrim Shyti. Selimit iu vazhdua masa e paraburgimit, ndërsa ai nuk ishte i pranishëm në seancën e shpalljes së aktgjykimit.   Përveç dënimit me burg, gjykata e obligoi Selimin të paguajë 100 euro për paushallin gjyqësor dhe 50 euro për Fondin për Kompensimin e Viktimave të Krimit.   Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, Selimi dyshohej se nga viti 2009 deri në arrestimin e tij më 6 maj 2025 kishte bashkëpunuar me Agjencinë e Inteligjencës dhe Sigurisë së Serbisë (BIA), duke mbledhur dhe dërguar informacione lidhur me ish-pjesëtarë të UÇK-së, persona të radikalizuar dhe zhvillimet e grupeve ekstremiste.   Aktakuza pretendon se ai ishte pajisur nga zyrtarët e BIA-s me telefona të mençur dhe mjete financiare, ndërsa i ishte premtuar edhe blerja e një shtëpie. Po ashtu, thuhet se në vitin 2015 kishte udhëtuar në Siri, ku iu bashkua organizatës terroriste ISIS dhe më pas kishte dërguar informacione tek zyrtarët serbë për pjesëmarrjen e shqiptarëve në këtë organizatë.   Sipas Prokurorisë, edhe pas kthimit në Kosovë dhe vuajtjes së dënimit për pjesëmarrje në organizata terroriste, Selimi kishte vazhduar kontaktet me zyrtarët e BIA-s në Serbi, duke u takuar në qytete si Vranja, Nishi dhe Bujanoci.   Në aktakuzë thuhet se si shpërblim për informacionet e ofruara, Selimi paguhej deri në 700 euro në muaj dhe përdorte pajisje të siguruara nga BIA për komunikim.   Prokuroria vlerëson se veprimet e tij kanë rrezikuar seriozisht sigurinë dhe rendin kushtetues të Republikës së Kosovës, si dhe kanë ndihmuar në krijimin e narrativave të dëmshme kundër shtetësisë së vendit.   /Dragash Info/