Paragrafi 162 i Aktgjykimit ngre dilema kushtetuese: Presidenti para Qeverisë?
Procesi i formimit të institucioneve pas zgjedhjeve po shoqërohet me debate juridike rreth rendit kushtetues të veprimeve, pas interpretimit të Gjykatës Kushtetuese lidhur me zgjedhjen e Presidentit të Kosovës. Sipas paragrafit 162 të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, procedura për zgjedhjen e Presidentit duhet të nisë menjëherë pas konstituimit të Kuvendit dhe të përfundojë brenda afatit prej 60 ditësh. Në të kundërtën, Kuvendi shpërndahet dhe vendi shkon në zgjedhje të reja. Ndërkohë, me numërimin e votave me postë që pritet t’i sigurojnë Lëvizjes Vetëvendosje mandatin e 52-të, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, është shprehur optimist për formimin e institucioneve, duke përmendur konstituimin e Kuvendit dhe formimin e Qeverisë. Kjo ka nxitur interpretime të ndryshme në qarqet juridike. Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, vlerëson se rendi kushtetues është i qartë dhe se zgjedhja e Presidentit duhet të paraprijë proceset e tjera institucionale. Në anën tjetër, juristi i Vetëvendosjes, Vigan Qorolli, kundërshton këtë interpretim, duke argumentuar se Kushtetuta lejon vazhdimin e procedurave për formimin e Qeverisë. Debati juridik mbetet i hapur, ndërsa zhvillimet e javëve të ardhshme pritet të përcaktojnë mënyrën e formimit të institucioneve të legjislaturës së re dhe interpretimin praktik të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese. /Dragash Info/