Vazhdon numërimi i votave me postë në QNR: Janë numëruar 102 nga 223 kuti votimi
Procesi i numërimit të votave me postë për zgjedhjet parlamentare po vazhdon në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR), ndërsa Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka bërë të ditur se deri më tani janë numëruar 102 nga gjithsej 223 kuti votimi. Sipas njoftimit të KQZ-së, deri të hënën, më 15 qershor 2026, në orën 16:00, janë numëruar 35.87% e kutive ku janë sistemuar zarfet me fletëvotime të aprovuara nga shërbimi votues i KQZ-së. “Pas procesit të vlerësimit, zarfet që supozohet se përmbajnë fletëvotime janë sistemuar në 223 kuti votimi sipas komunave prej nga vijnë votuesit e regjistruar”, thuhet në njoftimin e KQZ-së. Votimi përmes postës ishte i hapur nga 21 maji deri më 6 qershor 2026, ndërsa rreth 105 mijë shtetas të Kosovës ishin regjistruar për të votuar në këtë mënyrë. Një ditë më parë, KQZ përmbylli procesin e vlerësimit të 85,790 pakove të supozuara me fletëvotime. Nga to, 82,809 janë aprovuar, ndërsa 2,981 janë refuzuar. Sipas KQZ-së, këto pako janë tërhequr nga kutitë postare të saj në 22 shtete të ndryshme, si dhe nga kutia postare e KQZ-së në Kosovë. Procesi i numërimit të votave me postë pritet të vazhdojë edhe në ditët në vijim, derisa të përfundojë verifikimi dhe numërimi i të gjitha fletëvotimeve të aprovuara. /Dragash Info/