Vala e shtrenjtimit nuk ndalet, inflacioni në Kosovë arrin në 6.8%
Kosova vazhdon të përballet me rritje të çmimeve, megjithëse në muajin maj është regjistruar një lehtësim i lehtë në baza mujore. Sipas të dhënave të publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit (IHÇK) në maj 2026 shënoi rritje vjetore prej 6.8 për qind, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Rritja e inflacionit është ndikuar kryesisht nga shtrenjtimi i transportit me 14.1 për qind, strehimit, ujit, energjisë elektrike, gazit dhe lëndëve të tjera djegëse me 13.2 për qind, si dhe i ushqimeve dhe pijeve joalkoolike me 5.1 për qind. Rritje të çmimeve janë regjistruar gjithashtu në restorante dhe shërbime akomodimi, shëndetësi, mobilie dhe pajisje shtëpiake, veshje e këpucë, si dhe në sektorë të tjerë të konsumit. Ndërkohë, ASK bën të ditur se në krahasim me muajin prill, inflacioni në maj ka shënuar rënie prej 0.4 për qind, kryesisht si rezultat i uljes së çmimeve në transport, energji dhe produkte ushqimore. Pavarësisht kësaj rënieje mujore, norma vjetore e inflacionit mbetet e lartë, duke reflektuar vazhdimin e presionit të kostos së jetesës për qytetarët e Kosovës.