Botë

Departamenti Amerikan i Energjisë riafirmon mbështetjen për LNG-në si opsion strategjik për Kosovën

10.06.2026. 2 min čitanja

  Zëvendësndihmës Sekretari i Departamentit Amerikan të Energjisë për Evropën, Euroazinë, Afrikën dhe Lindjen e Mesme, Dan Byers, ka riafirmuar mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për diversifikimin e burimeve energjetike të Kosovës dhe forcimin e sigurisë energjetike të vendit. Deklarata u bë gjatë diskutimit të organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë me temën “Shfrytëzimi i LNG-së Amerikane për Sigurinë Energjetike dhe Përafrimin Strategjik të Kosovës”. Byers theksoi se siguria energjetike është një element kyç i sigurisë kombëtare dhe se qëndrueshmëria e sistemit energjetik arrihet përmes diversifikimit të burimeve dhe alternativave të furnizimit. Ai vlerësoi rolin e thëngjillit në sistemin energjetik të Kosovës, por nënvizoi se gazi i lëngshëm natyror (LNG) mund të luajë një rol të rëndësishëm në të ardhmen, veçanërisht me rritjen e kërkesës për energji. Sipas tij, Shtetet e Bashkuara, si prodhuesi më i madh në botë i gazit natyror, pritet të zgjerojnë më tej kapacitetet eksportuese të LNG-së. Ai bëri të ditur se SHBA-të aktualisht furnizojnë rreth 60 për qind të importeve evropiane të LNG-së, duke mbështetur aleatët evropianë me furnizime të sigurta dhe të diversifikuara. Byers theksoi gjithashtu rëndësinë e investimeve në infrastrukturë dhe ndërlidhje rajonale energjetike, të cilat do t’i mundësonin Kosovës qasje më të lehtë në LNG. Në këtë drejtim, ai shprehu gatishmërinë e Departamentit Amerikan të Energjisë për të mbështetur projekte infrastrukturore dhe iniciativa që rrisin sigurinë energjetike në rajon. Në përmbyllje, ai riafirmoi mbështetjen e SHBA-ve për Kosovën përmes ekspertizës teknike, ngritjes së kapaciteteve dhe bashkëpunimit strategjik, duke theksuar se forcimi i sigurisë energjetike të partnerëve dhe aleatëve mbetet prioritet i rëndësishëm amerikan.