Komuna e Dragashit përfiton mbi 883 mijë euro nga Granti i Performancës Komunale
Komuna e Dragashit ka siguruar 883,837.56 euro nga Granti i Performancës Komunale, një fond që do të shfrytëzohet për realizimin e projekteve të ndryshme infrastrukturore në interes të qytetarëve. Lajmin e ka bërë të ditur kryetari i Komunës së Dragashit, Bexhet Xheladini, i cili sot në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) ka nënshkruar marrëveshjen për përfitimin e këtij granti. Sipas Xheladinit, mjetet e siguruara do të investohen në projekte që synojnë përmirësimin e kushteve të jetesës dhe zhvillimin e mëtejshëm të komunës. Ai ka shprehur mirënjohje për stafin komunal, duke theksuar se përkushtimi dhe puna e tyre kanë bërë të mundur që Dragashi të renditet ndër pesë komunat fituese të këtij granti të rëndësishëm. Kryetari Xheladini theksoi se ky sukses është rezultat i angazhimit të përbashkët dhe një motiv shtesë për të vazhduar punën në shërbim të qytetarëve të komunës.
/Dragash Info/