Kurti: Kosova nuk ka nevojë për gazsjellës deri në territor, synon bashkëpunim përmes Vlorës dhe gazifikimin e linjitit
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se Kosova nuk e sheh të domosdoshme ndërtimin e gazsjellësit amerikan që do të shtrihej deri në territorin e vendit, duke theksuar një qasje alternative për furnizimin me energji. Në një intervistë për Radio Televizioni Publik i Kosovës, Kurti ka thënë se vendi synon integrim më të thellë energjetik me Shqipërinë, përmes terminalit të gazit të lëngshëm në Vlorë, ku Kosova do të mund të kishte edhe pjesëmarrje aksionare. Sipas tij, gazi i lëngshëm natyror do të importohej në Vlorë, aty do të shndërrohej në energji elektrike dhe më pas do të transmetohej në Kosovë përmes interkoneksionit 400 kilovolt me Shqipërinë. “Ne dëshirojmë të jemi të integruar me Shqipërinë në terminalin e gazit në Vlorë… nuk kemi nevojë ta sjellim gazin deri në Kosovë, por ta marrim nga Vlora”, ka deklaruar Kurti. Ai ka shtuar gjithashtu se Kosova është e interesuar për bashkëpunim me kompani amerikane në drejtim të gazifikimit të linjitit, duke theksuar se vendi ka rezerva të mëdha të këtij burimi energjetik. “Jemi shumë të interesuar për ekspertizën amerikane për gazifikimin e linjitit”, është shprehur ai, duke e konsideruar këtë si një alternativë strategjike energjetike. Ky qëndrim vjen pas thirrjeve të përsëritura nga pala amerikane dhe projektet e mëparshme të mbështetura nga Millennium Challenge Corporation, të cilat nuk u përzgjodhën nga Qeveria e Kosovës në vitin 2021 për implementim. Sipas qeverisë së atëhershme, prioritet iu dha projekteve me risk më të ulët dhe që synojnë dekarbonizimin dhe zhvillimin ekonomik afatgjatë të sektorit energjetik. / Dragash Info /