Qendrore

Ambasada Amerikane përsërit thirrjen: Kosova të hyjë në partneritet afatgjatë për LNG me SHBA-në

09.06.2026. 2 min čitanja

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Kosovë ka përsëritur thirrjen që Kosova t’i bashkohet projektit amerikan të Gazit të Lëngshëm Natyror (LNG), duke e cilësuar diversifikimin e burimeve të energjisë si një element kyç për sigurinë energjetike të vendit.   Në një përgjigje për media, Ambasada e SHBA-së theksoi se Uashingtoni mbështet iniciativat që synojnë zgjerimin e burimeve energjetike në Kosovë, përfshirë përdorimin e teknologjisë amerikane për gazifikimin e linjitit, zhvillimin e burimeve të rinovueshme dhe përfshirjen në projektet rajonale të gazit natyror të lëngshëm.   Sipas Ambasadës, Kosova aktualisht nuk prodhon energji të mjaftueshme për të përmbushur nevojat e brendshme, ndërsa kërkesa për energji pritet të rritet në vitet e ardhshme.   “Kosova ka nevojë për të gjitha burimet e energjisë në dispozicion për të përmbushur rritjen e kërkesës, për të forcuar sigurinë energjetike dhe për të zvogëluar varësinë nga importet e kushtueshme të energjisë elektrike”, thuhet në qëndrimin e Ambasadës amerikane.   Tutje, Ambasada vlerëson se diversifikimi energjetik nuk nënkupton zgjedhjen e një burimi në dëm të një tjetri, por krijimin e më shumë alternativave të qëndrueshme dhe të besueshme për furnizimin e vendit me energji.   Ky qëndrim vjen në një kohë kur debati për të ardhmen energjetike të Kosovës dhe investimet në sektorin e energjisë po merr vëmendje gjithnjë e më të madhe.   /Dragash Info/