Lokale

Komunikatë e përbashkët: Në Dragash shënohet Java e Imunizimit – “Vaksinat mbrojnë në çdo moshë”

27.04.2026. 3 min čitanja

Komunikatë e përbashkët: Në Dragash shënohet Java e Imunizimit – “Vaksinat mbrojnë në çdo moshë”   QKMF “Adem Berisha”Dragash, në bashkëpunim me Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, si dhe partnerët ndërkombëtarë Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe UNICEF, kanë shënuar Javën e Imunizimit, duke ritheksuar rëndësinë e vaksinimit për mbrojtjen e shëndetit publik. Motoja e këtij viti, “Vaksinat mbrojnë në çdo moshë”, thekson rolin jetik të imunizimit gjatë gjithë jetës – nga fëmijëria e hershme deri në moshën e rritur. Vaksinimi mbetet një nga ndërhyrjet më efektive për parandalimin e sëmundjeve të rënda, komplikimeve dhe vdekjeve, duke kontribuar edhe në mbrojtjen kolektive përmes rritjes së imunitetit në komunitet. Sipas të dhënave të fundit, programi i vaksinimit në Kosovë ka shënuar përmirësim, veçanërisht në vaksinimin bazë të fëmijëve (0–1 vjeç), duke reflektuar rritjen e besimit të qytetarëve në institucionet shëndetësore dhe përkushtimin për ofrimin e shërbimeve cilësore. Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka theksuar se vaksinimi është investim i drejtpërdrejtë në shëndetin e qytetarëve dhe të ardhmen e vendit, duke shtuar se institucionet do të vazhdojnë të forcojnë sistemin e imunizimit dhe të garantojnë qasje të barabartë për të gjithë. Nga viti 2024, programi i imunizimit është avancuar me përfshirjen e tri vaksinave të reja në kalendarin e rregullt, si dhe me zgjerimin e vaksinimit kundër HPV-së edhe për djemtë dhe rritjen e kufirit të moshës deri në 26 vjeç, në përputhje me praktikat ndërkombëtare. Megjithatë, sfidë mbetet rënia e mbulueshmërisë me vaksinën MMR (fruthi, shytat dhe rubella), e cila rrit rrezikun për shpërthime të sëmundjeve të parandalueshme. Institucionet bëjnë thirrje për mobilizim të përbashkët dhe rritje të ndërgjegjësimit për rëndësinë e vaksinimit në kohën e duhur. Drejtoresha ekzekutive e IKShPK-së, Ardita Baraku, ka apeluar që prindërit dhe qytetarët të bazohen në informacione të sakta dhe të sigurojnë vaksinimin e rregullt të fëmijëve, duke theksuar se çdo dozë e papërfunduar rrit rrezikun për rikthimin e sëmundjeve. Partnerët ndërkombëtarë kanë rikonfirmuar mbështetjen e tyre për Kosovën. Nga UNICEF-i është theksuar rëndësia e arritjes së fëmijëve të pavaksinuar, ndërsa OBSH ka nënvizuar se vaksinimi ka shpëtuar miliona jetë dhe ka ndikuar ndjeshëm në uljen e vdekshmërisë globale. Institucionet shëndetësore rikujtojnë se vaksinimi është përgjegjësi e përbashkët dhe u bëjnë thirrje qytetarëve që të shfrytëzojnë shërbimet e imunizimit për të mbrojtur veten, familjen dhe komunitetin. — Dragash Info