Lokale

Prizreni nuk është skenë për rikthimin e hijes osmane

26.04.2026. 2 min čitanja

OPINION / KOLUMNË width= width= width= Prizreni nuk është skenë për rikthimin e hijes osmane Dje, më 25.04, në Shadërvan – zemrën historike të Prizrenit – u zhvillua një organizim me bandën ushtarake turke “Mehteran”, me uniforma të stilit osman, flamuj turq dhe prani që dominonte hapësirën publike. Përballë ishte edhe konsullata turke me flamurin e saj. Për disa qytetarë kjo u pa si festë dhe shfaqje kulturore, por për të tjerë ngjalli shqetësim dhe kujtime të ndjeshme historike. Pa dyshim, Turqia ka dhënë kontribut të rëndësishëm në momente të caktuara për Kosovën dhe kjo miqësi nuk mund të mohohet. Ajo respektohet dhe vlerësohet. Por miqësia nuk duhet të nënkuptojë dominim simbolik në hapësirat më të ndjeshme historike të qyteteve tona. Pranë Xhamisë së Sinan Pashës, me uniforma të epokës osmane dhe me marshim ushtarak në Shadërvan, për shumë qytetarë u krijua një ndjesi e rëndë, sikur një kapitull i kaluar historik po rikthehej në formë simbolike. Për një popull që ka kaluar shekuj nën sundime të huaja, këto imazhe nuk janë neutrale. Prizreni nuk është qytet pa histori. Ai është qytet shqiptar, qyteti i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, vendi ku u formësuan idealet kombëtare, ku u mbrojt gjuha, identiteti dhe dinjiteti ynë. Çdo rrugë dhe çdo gur i këtij qyteti mbart kujtesën e kësaj historie. Kur në zemër të qytetit shfaqen simbolika të huaja me dominim vizual dhe ceremonial, lind natyrshëm pyetja: A po e respektojmë miqësinë, apo po e teprojmë me simbolikën e saj në hapësirat publike të një qyteti me identitet të fortë historik? Kosova duhet të ketë miq, por pa humbur vetveten për t’i bërë vend atyre. Prizreni duhet të mbetet i hapur për kulturë dhe bashkëpunim, por pa cenuar ndjeshmërinë historike dhe identitetin e tij. Sepse popujt që harrojnë historinë e tyre rrezikojnë ta shohin atë të rikthehet si spektakël. Ndërsa popujt që respektojnë veten, respektohen nga të gjithë. Shkruan: Zamira Bytyqi