Masa të rrepta për testin e maturës – gjoba deri në 20 mijë euro për shkelësit
Masa të rrepta për testin e maturës – gjoba deri në 20 mijë euro për shkelësit Projektligji i ri për Provimin e Maturës Shtetërore synon të luftojë fenomenin e kopjimit përmes masave të ashpra ndëshkuese ndaj individëve dhe institucioneve që shkelin rregullat. Sipas draftit të miratuar në Komisionin parlamentar për Arsim, në nenin 24 parashihen gjoba të konsiderueshme për çdo keqpërdorim gjatë procesit të testimit. Për qasje të paautorizuar në materiale të klasifikuara si sekrete, personat fizikë mund të dënohen deri në 2 mijë euro, ndërsa personat juridikë deri në 15 mijë euro. Ndëshkimet bëhen edhe më të rënda për zyrtarët që lejojnë kopjimin apo manipulimet gjatë testit. Në këto raste, gjobat arrijnë deri në 2 mijë euro për individë dhe deri në 20 mijë euro për institucione. Ministri i Arsimit, Hajrulla Çeku, ka deklaruar se ashpërsimi i sanksioneve është i domosdoshëm, duke pasur parasysh përvojat negative të viteve të kaluara dhe nevojën për garantimin e integritetit të provimit. Megjithatë, përfaqësues të opozitës dhe organizatave të arsimit vlerësojnë se këto masa nuk janë të mjaftueshme. Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Jehona Lushaku-Sadriu, ka kritikuar faktin se projektligji nuk parasheh ndalimin e plotë të qasjes në internet gjatë mbajtjes së testit. Ndërkaq, nga organizata ETEA, drejtori Agon Ahmeti, ka theksuar se përveç gjobave, duhet të parashihen masa më të ashpra disiplinore, përfshirë heqjen e licencës për mësimdhënësit që tolerojnë kopjimin. Projektligji për Provimin e Maturës Shtetërore u miratua më 20 prill në Komisionin parlamentar për Arsim, Shkencë dhe Teknologji, pavarësisht kërkesave për ndryshime shtesë nga opozita. — Dragash Info