Lista Serbe e quan “hakmarrje” vendimin gjyqësor për rastin e Banjskës
Lista Serbe e quan “hakmarrje” vendimin gjyqësor për rastin e Banjskës Lista Serbe ka vazhduar me retorikën e saj të njohur duke e cilësuar vendimin e gjykatës për rastin e Banjskës si “hakmarrje” ndaj komunitetit serb në Kosovë, pas dënimeve të shqiptuara ndaj të akuzuarve për sulmin e armatosur të vitit 2023. Sipas këtij subjekti politik, i cili shpesh ndjek linjën e Beogradit zyrtar, vendimi me dy burgime të përjetshme dhe një dënim prej 30 vjetësh për pjesëmarrës në sulm, përbën, siç pretendohet, një akt politik dhe jo një proces të drejtë gjyqësor. Në reagim, Lista Serbe ka pretenduar se përgjegjësia individuale e të dënuarve nuk është sqaruar plotësisht dhe se procesi gjyqësor nuk ka respektuar standardet e një gjykimi të drejtë, duke shtuar se vendimi rrit pasigurinë dhe mosbesimin e komunitetit serb ndaj institucioneve të Kosovës. Po ashtu, ajo ka akuzuar institucionet kosovare për përdorim të pretenduar politik të akuzave për terrorizëm dhe krim të organizuar ndaj serbëve në Kosovë, duke e cilësuar aktgjykimin si të motivuar politikisht. Lista Serbe ka kërkuar edhe ndërhyrje të bashkësisë ndërkombëtare, duke pretenduar se gjykatat në Kosovë nuk garantojnë procese të drejta gjyqësore. Në këtë kontekst, ajo ka kërkuar që procedurat e ankesave të trajtohen nga një panel me shumicë gjyqtarësh serbë, duke iu referuar marrëveshjeve për sistemin e drejtësisë. Institucionet e Kosovës e kanë cilësuar sulmin në Banjskë si akt terrorist dhe kanë theksuar se rasti është trajtuar në kuadër të procedurave për terrorizëm dhe krim të organizuar. — Dragash Info