Begaj: Ndërhyrja e NATO-s solli lirinë e Kosovës dhe paqen në rajon
Begaj: Ndërhyrja e NATO-s solli lirinë e Kosovës dhe paqen në rajon Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka përkujtuar 27-vjetorin e ndërhyrjes ushtarake të NATO në Kosovë, duke e cilësuar atë si moment kyç që solli lirinë dhe paqen në rajon. Në reagimin e tij, Begaj theksoi se ndërhyrja e NATO-s kundër regjimit të Slobodan Milošević përfundoi me sukses, duke mundësuar çlirimin e Kosovës dhe stabilitetin që gëzon sot rajoni. Ai gjithashtu shprehu mirënjohje të përhershme për Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aleatët e saj në NATO, për rolin vendimtar në këtë ndërhyrje. “Sot shënohet 27-vjetori i ndërhyrjes ushtarake të Aleancës së NATO-s kundër regjimit shtypës serbomadh të Millosheviçit, fushatë e cila përfundoi me sukses duke sjellë lirinë e Kosovës dhe paqen që gëzojmë sot në të gjithë rajonin. Shqipëria, sot e përgjithmonë, i është falënderuese SHBA-ve dhe aleatëve të saj të NATO-s”, ka deklaruar Begaj. — Dragash Info