Nafta arrin në 1.79 euro për litër, Qeveria nuk e sheh opsion heqjen e TVSH-së dhe akcizës
Nafta arrin në 1.79 euro për litër, Qeveria nuk e sheh opsion heqjen e TVSH-së dhe akcizës Çmimi i derivateve në Kosova ka shënuar rritje të ndjeshme, duke arritur deri në 1.79 euro për litër gjatë ditës së hënë, në një kohë kur kërkesat për masa lehtësuese po shtohen. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka dorëzuar katër kërkesa në Ministrinë e Tregtisë, ku ndër kryesoret janë ulja e TVSH-së për 50% dhe heqja e përkohshme e akcizës, me synimin që çmimi i naftës të ulet për rreth 40 centë për litër. Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka theksuar se rritja e çmimeve po ndikon drejtpërdrejt në ekonominë e vendit, duke rritur kostot e transportit, prodhimit dhe furnizimit. Megjithatë, ministrja e Industrisë, Tregtisë dhe Ndërmarrësisë, Mimoza Kusari-Lila, ka deklaruar se heqja e TVSH-së dhe akcizës nuk shihet si opsion aktualisht, duke theksuar se këto janë të hyra të rëndësishme për buxhetin dhe çdo ndryshim kërkon vendim nga Kuvendi. Ajo shtoi se institucionet janë duke shqyrtuar mundësi të tjera për të parandaluar rritjen zinxhirore të çmimeve, ndërsa kërkesat për krijimin e një task-force dhe rezervave strategjike të naftës mbeten të hapura për diskutim. Ndërkohë, kërkesa për ulje të TVSH-së është bërë edhe nga Shoqata e Naftëtarëve dhe përfaqësues të bizneseve, të cilët paralajmërojnë rritje të mëtejshme të kostos së jetesës për qytetarët. Sipas të dhënave zyrtare, çmimi i importit për një litër naftë është rreth 1.11 euro, ndërsa me përfshirjen e taksave dhe marzhës së fitimit arrin deri në 1.80 euro në treg. Në rajon, disa shtete si Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Kroacia kanë ndërmarrë masa për të zbutur rritjen e çmimeve, përfshirë uljen e akcizës dhe TVSH-së. — Dragash Info