Qendrore

Binarët “Kuq e Zi” ende në letër: Projekti 1.8 miliardë euro Durrës – Prishtinë pa nisur

23.03.2026. 3 min čitanja

Binarët “Kuq e Zi” ende në letër: Projekti 1.8 miliardë euro Durrës – Prishtinë pa nisur Projekti për ndërtimin e hekurudhës që do të lidhte Prishtinën me Durrësin, i njohur si “Hekurudha Kuq e Zi”, vazhdon të mbetet në fazën e planifikimit, pavarësisht se konsiderohet një ndër projektet më të mëdha infrastrukturore mes Kosovës dhe Shqipërisë. Kostoja e parashikuar e këtij projekti arrin deri në 1.8 miliardë euro, ndërsa deri më tani janë përfunduar studimi i fizibilitetit dhe projekti paraprak. Sipas planit, linja do të jetë rreth 105 kilometra e gjatë, me 14 tunele, 43 ura dhe disa stacione të reja. Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka deklaruar së fundmi se projekti po ecën drejt fazës së zbatimit dhe se janë duke u shqyrtuar mundësitë e financimit në bashkëpunim me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti. Sipas tij, hekurudha do të ndërtohet sipas standardeve të Bashkimit Evropian dhe do të jetë pjesë e rrjetit të elektrifikuar hekurudhor. Megjithatë, pavarësisht deklaratave optimiste, projekti mbetet ende pa një vendim konkret për financim dhe pa nisje të punimeve në terren. Nga komuniteti i biznesit, vlerësohet se ndërtimi i kësaj hekurudhe do të kishte ndikim të madh ekonomik. Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës thekson se transporti hekurudhor do të ulte ndjeshëm kostot për bizneset, do të rriste shkëmbimet tregtare dhe do të ndikonte pozitivisht në tërheqjen e investimeve të huaja. Në anën tjetër, njohës të ekonomisë paralajmërojnë për rrezikun e vonesave, duke përmendur sfidat politike dhe institucionale që mund të ndikojnë në realizimin e projektit. Edhe ekspertët theksojnë se, megjithëse projekti është strategjik dhe me përfitime të mëdha për të dy vendet, ai rrezikon të mbetet vetëm në nivel deklaratash nëse nuk sigurohet financimi dhe nuk ka angazhim konkret për zbatimin e tij. Hekurudha Prishtinë–Durrës pritet të lidhë Kosovën drejtpërdrejt me Portin e Durrësit, duke lehtësuar transportin e mallrave dhe udhëtarëve. Sipas parashikimeve, udhëtimi me tren mund të zgjasë rreth 3 orë e 40 minuta për linjat ekspres. Aktualisht, projekti mbetet në pritje të hapave të radhës – sigurimit të fondeve dhe fillimit të ndërtimit, ndërsa afati më optimist për funksionalizimin e tij llogaritet rreth 10 vite. — Dragash Info