Akuza e rëndë e Vehbi Kajtazit: “Njerëzit e Vjosa Osmani urdhëruan vendosjen e GPS-it në veturën time”
Akuza e rëndë e Vehbi Kajtazit: “Njerëzit e Vjosa Osmani urdhëruan vendosjen e GPS-it në veturën time” Gazetari Vehbi Kajtazi ka hedhur akuza të rënda, duke pretenduar se qëndron presidentja Vjosa Osmani prapa gjurmimit të tij të paligjshëm nga Agjencia e Kosovës për Inteligjencë (AKI). Sipas Kajtazit, në shtator të vitit të kaluar ai kishte gjetur një pajisje gjurmuese GPS në veturën e tij, rast të cilin e kishte denoncuar në polici. Ai pretendon se hetimet e deritanishme kanë zbardhur detaje që, sipas tij, dëshmojnë një “përndjekje” të organizuar ndaj tij. Kajtazi ka deklaruar se urdhri për vendosjen e pajisjes dhe për vëzhgimin e tij është nënshkruar nga zëvendësshefi i AKI-së, Agon Bytyqi, të cilin e cilëson si të afërt me presidenten Osmani. “Agon Bytyqi në mënyrë të kundërligjshme ka urdhëruar dhe ka nënshkruar një urdhëresë që zyrtarët e AKI-së të më përndjekin mua. Me nënshkrim të tij më është vendosur GPS dhe më kanë ndjekur në zyrë, në punë dhe te familja, me urdhër të Vjosa Osmanit”, është shprehur Kajtazi në një emision televiziv. Ai ka shtuar se përgjegjësinë kryesore për këtë rast ia atribuon presidentes Osmani, duke përmendur edhe kryeministrin Albin Kurti në kontekstin e akuzave të tij. Gazetari ka bërë të ditur se ka identifikuar edhe dy persona që, sipas tij, janë agjentë të AKI-së dhe kanë marrë pjesë në ndjekjen e tij, por pa i bërë publik emrat e tyre. Deri më tani nuk ka pasur reagim zyrtar nga Presidenca apo nga institucionet përkatëse lidhur me këto akuza të ngritura publikisht. — Dragash Info