Në prag të Festës të Bajramit: Inspektorati në terren, kontrollohen çmimet në gjithë Kosova
Në prag të Festës të Bajramit: Inspektorati në terren, kontrollohen çmimet në gjithë Kosova
Në prag të festës së Bajramit, Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut ka intensifikuar aktivitetet në terren, duke zhvilluar një aksion të gjerë inspektimesh në të gjithë territorin e Kosovës. Sipas njoftimit zyrtar, gjatë gjithë javës – përfshirë edhe ditën e sotme – inspektorët kanë qenë aktivë në kontrollimin e tregut, me fokus të veçantë në verifikimin e çmimeve, kontrollin e origjinës së produkteve dhe saktësinë e deklaracioneve për konsumatorët. Nga ky institucion theksohet se qëllimi kryesor i këtij aksioni është mbrojtja e konsumatorëve nga praktikat e padrejta tregtare, si dhe garantimi i transparencës dhe besueshmërisë në treg. “Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut mbetet i përkushtuar në mbrojtjen e konsumatorëve nga çdo veprim që bie ndesh me legjislacionin në fuqi. Përmes këtyre kontrolleve synohet sigurimi i një mjedisi të drejtë dhe të besueshëm për qytetarët”, thuhet në njoftim. Autoritetet bëjnë të ditur se ndaj operatorëve ekonomikë që janë konstatuar në shkelje të ligjit, janë ndërmarrë masa ndëshkuese në përputhje me dispozitat ligjore në fuqi. Inspektorati ka paralajmëruar se aksionet do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, me synimin që të drejtat e konsumatorëve të respektohen plotësisht dhe tregu të funksionojë sipas standardeve të përcaktuara. — Dragash Info