IPK arreston një zyrtar policor dhe rekomandon suspendimin e katër të tjerëve
IPK arreston një zyrtar policor dhe rekomandon suspendimin e katër të tjerëve Prishtinë/Mitrovicë, 17 mars 2026 Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka ndërmarrë veprime hetimore ndaj pesë zyrtarëve policorë të Njësisë për Ndërhyrje të Shpejtë brenda Departamentit Kufitar të Policisë së Kosovës. Sipas të dhënave fillestare hetimore, ekziston dyshimi se më 13 mars 2026, gjatë ushtrimit të detyrës, zyrtarët kanë kryer veprën penale “Përvetësimi në detyrë”. Dyshohet se pas sekuestrimit të mbi 100 paketimeve me cigare nga persona të dyshuar për kontrabandë, ata kanë përvetësuar 24 paketa me cigare (rreth 12,500 pako në vlerë rreth 30,000 euro), ndërkohë që në Doganën e Kosovës janë dorëzuar vetëm 84 paketa të dyshuara për kontrabandë. Pas veprimeve hetimore, një zyrtar policor është arrestuar dhe i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë nga Prokuroria Themelore në Mitrovicë, ndërsa katër të tjerët po hetohen në procedurë të rregullt. IPK ka rekomanduar suspendimin e të pesë zyrtarëve për shkak të natyrës së veprës penale dhe për të mbrojtur integritetin e Policisë së Kosovës. Inspektorati Policor i Kosovës mbetet i përkushtuar për trajtimin profesional të çdo rasti ku dyshimet bien mbi zyrtarët policorë dhe siguron opinionin publik se çdo ankese e qytetarëve do të hetohet me seriozitet dhe transparencë. — Dragash Info