Nis izolimi i jashtëm për familjen e dëshmorit në Shajnë
Nis izolimi i jashtëm për familjen e dëshmorit në Shajnë Me një akt të madh humanizmi dhe solidariteti, ka nisur realizimi i izolimit të jashtëm të shtëpisë për familjen e një dëshmori nga fshati Shajnë, në komunën e Dragashit. Ky projekt po realizohet falë ndihmës së njerëzve vullnetmirë, të cilët kanë vendosur të kontribuojnë për të përmirësuar kushtet e jetesës së kësaj familjeje, e cila ka dhënë më të shtrenjtën për atdheun. Humanisti Elmaz Misini ka bërë të ditur se kjo iniciativë është mundësuar me lejen e Zotit dhe me mbështetjen e një donatori anonim, i cili ka zgjedhur të kontribuojë në heshtje, duke u bërë shkak për këtë vepër të mirë. Një falënderim i veçantë i është shprehur edhe firmës “Vllaznimi”, e cila ka ofruar transportin falas për materialet ndërtimore, duke dhënë një shembull të shkëlqyer të përgjegjësisë sociale dhe humanizmit. Ky veprim vjen si një shenjë mirënjohjeje dhe respekti për sakrificën e familjeve të dëshmorëve, duke dëshmuar se solidariteti dhe uniteti vazhdojnë të jenë vlera të forta në shoqërinë tonë. — Dragash Info