Sonte Nata e Kadrit – një nga netët më të mëdha për besimtarët myslimanë
Sonte Nata e Kadrit – një nga netët më të mëdha për besimtarët myslimanë Sonte shënohet Nata e Kadrit, një nga netët më të rëndësishme dhe më të shenjta për besimtarët myslimanë në mbarë botën. Sipas besimit islam, kjo është nata kur Pejgamberit Muhamed, përmes melekut Xhebrail, i kanë zbritur ajetet e para të Kuranit. Myslimanët besojnë se në këtë natë të bekuar Zoti i Madhëruar i fal mëkatet, i pranon lutjet dhe i begaton besimtarët me mëshirë të veçantë. Po ashtu besohet se në këtë natë engjëjt zbresin në Tokë, ndërsa lutjet dhe adhurimet kanë vlerë të jashtëzakonshme. Sipas traditës islame, zbritja e parë e Kuranit filloi në shpellën Hira në Mekë, ndërsa sureja e parë që u shpall ishte “Alak”. Në Kuran nuk përmendet një datë e saktë për Natën e Kadrit, por theksohet se ajo ndodhet në dhjetëditëshin e fundit të muajit të shenjtë të Ramazanit. Në besimin islam thuhet se adhurimi në këtë natë ka vlerë sa adhurimi për më shumë se një mijë muaj. Gjithashtu përmenden disa shenja që mund ta shoqërojnë këtë natë, si lindja e diellit pa rreze të forta ose me ndriçim të zbehtë, një natë e qetë pa nxehtësi apo të ftohtë të madh, si dhe mundësia e një shiu të lehtë. Megjithatë, këto shenja nuk janë të sigurta dhe mund të ndryshojnë sipas vendit dhe stinës. Besimtarët e kalojnë këtë natë me lutje, falje, lexim të Kuranit dhe vepra të mira, duke shpresuar në mëshirën dhe faljen e Zotit. — Dragash Info