Aksion i Policisë kundër fajdes në Prizren, dëmi ndaj viktimës rreth 700 mijë euro
Aksion i Policisë kundër fajdes në Prizren, dëmi ndaj viktimës rreth 700 mijë euro Policia e Kosovës në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Prizren ka zhvilluar sot një operacion policor në Prizren, në kuadër të hetimeve për veprimtari të dyshuara kriminale që lidhen me fajde. Operacioni është realizuar nga Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda dhe ka pasur për qëllim arrestimin e personave të dyshuar për përfshirje në këtë veprimtari. Sipas njoftimit zyrtar, pesë persona me inicialet B.K., GJ.K., E.K., E.K. dhe E.R. dyshohen për kryerjen e veprave penale “Fajdeja”, “Privimi i kundërligjshëm i lirisë” dhe “Detyrimi”, të parashikuara në Kodin Penal të Republikës së Kosovës. Hetimet paraprake tregojnë se të dyshuarit në mënyrë të vazhdueshme kanë detyruar viktimën të paguajë shuma të mëdha parash si interes për fajde, duke përdorur forma të ndryshme presioni dhe dhune. Në disa raste, sipas dyshimeve, viktima është privuar edhe nga liria me qëllim që të detyrohej të paguante kamata të larta. Sipas vlerësimeve fillestare të organeve të hetuesisë, dëmi i shkaktuar ndaj viktimës arrin rreth 700 mijë euro, ndërsa të dyshuarit dyshohet se kanë kërkuar edhe 450 mijë euro shtesë në emër të interesit të fajdesë. Me urdhër të gjykatës janë kryer kontrolle në pesë lokacione në qytetin e Prizrenit, ku është arrestuar një person i dyshuar, ndërsa katër persona të tjerë janë në kërkim policor. Me vendim të prokurorit të shtetit nga Prokuroria Themelore në Prizren, personit të arrestuar i është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh, ndërsa hetimet për rastin janë duke vazhduar. — Dragash Info