“Sold-Out” Stadiumi në Bratisllavë për ndeshjen Sllovaki – Kosovë
“Sold-Out” Stadiumi në Bratisllavë për ndeshjen Sllovaki – Kosovë Ndeshja mes Slovakis dhe Kosovës do të zhvillohet para tribunave të mbushura plot, pasi të gjitha biletat për këtë përballje tashmë janë shitur. Federata e Futbollit e Sllovakisë ka njoftuar se stadiumi në Bratislava është zyrtarisht “Sold-Out”, për ndeshjen gjysmëfinale të “play-offit” për kualifikim në FIFA World Cup 2026. Drejtori i marketingut i Federatës sllovake, Lukáš Donoval, ka deklaruar se interesimi i tifozëve ka qenë shumë i madh dhe se atmosfera në stadium pritet të jetë fantastike. “Me kënaqësi të madhe njoftojmë se ndeshja gjysmëfinale e ‘play-offit’ për kualifikim në Kampionatin Botëror Sllovaki – Kosovë është zyrtarisht e shitur plotësisht. Kjo tregon qartë se përfaqësuesja sllovake ka mbështetje të madhe dhe kjo ndeshje është shumë e rëndësishme dhe atraktive për tifozët tanë”, ka thënë ai. Sipas njoftimit, nëse lirohen disa bileta nga numri i rezervuar për partnerët e federatës, për UEFA dhe për Federata e Futbollit e Kosovës, ato mund të dalin sërish në shitje online, por në numër shumë të kufizuar. Ndërkohë, edhe tifogrupi Dardanët kishte njoftuar më herët se të gjitha biletat në sektorin e tifozëve të Kosovës janë shitur, ndërsa rreth 1,000 bileta ishin rezervuar për tifozët kosovarë. Kombëtarja e Kosovës do të udhëtojë drejt Bratisllavës më 26 mars, për këtë ndeshje shumë të rëndësishme. Në rast fitoreje ndaj Sllovakisë, Kosova do të luajë si vendase në finalen e “play-offit”, përballë fituesit të ndeshjes mes Turkisë dhe Romanisë. — Dragash Info ⚽