Qendrore

Përplasja Kurti–Osmani sjell zhgënjim te qytetarët

15.03.2026. 3 min čitanja

Përplasja Kurti–Osmani sjell zhgënjim te qytetarët Vendimi i kryeministrit dhe liderit të Lëvizjës Vetëvendosje, Albin Kurti, për të mos e mbështetur Vjosa Osmani për një mandat të dytë presidencial po shihet si shenjë e tensioneve të thelluara mes dy figurave kryesore të pushtetit në vend. Analistët politikë vlerësojnë se qasjet e ndryshme në politikën e jashtme janë ndër arsyet kryesore që kanë çuar në këtë situatë. Analisti politik Artan Muhaxhiri thotë për KosovaPress se çarja mes Kurtit dhe Osmanit ka sjellë zhgënjim në opinionin publik, pasi ardhja e tyre në pushtet ishte shoqëruar me pritje të mëdha për ndryshime në politikën kosovare. “Fillimisht dy liderët kishin krijuar shpresa për një kapitull të ri politik në Kosovë, me reforma dhe qasje të re në qeverisje, por kjo marrëveshje nuk zgjati shumë”, shton ai. Muhaxhiri thekson se zhvillimet e fundit reflektojnë një kthim në praktikat e zakonshme të politikës në rajon, të cilat mund të sjellin përfitime afatshkurtra politike, por dëme afatgjata për vlerat dhe kulturën politike. Ndërkaq, analisti Adrian Zeqiri vlerëson se përplasja mes Osmanit dhe Kurtit është thelluar veçanërisht gjatë dy viteve të fundit, ku një nga arsyet kryesore lidhet me qasjen ndaj partnerëve ndërkombëtarë. Sipas tij, Kurti ka qenë i izoluar nga bashkësia ndërkombëtare, veçanërisht nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndërsa Osmani ka ruajtur raportet strategjike të Kosovës me këta partnerë, duke pasur rol të theksuar në diplomacinë e jashtme. Raportet mes kryeministrit Kurti dhe presidentes Osmani kanë kaluar nga bashkëpunim i afërt politik në shenja të dukshme ftohjeje gjatë viteve të fundit. Të dy erdhën në pushtet pas zgjedhjeve të vitit 2021, kur Lëvizja Vetëvendosje siguroi fitore të thellë, dhe Osmani, e mbështetur nga kjo parti, u zgjodh presidente nga Kuvendi i Kosovës. Megjithatë, përkundër ambicieve për një mandat të dytë presidencial, Osmani nuk ka gjetur mbështetje nga Kurti, duke theksuar ndarjen e qasjeve mes dy liderëve të lartë të vendit. — Dragash Info