Shqetësim te qytetarët për paralajmërimin e rritjes së çmimit të rrymës
Shqetësim te qytetarët për paralajmërimin e rritjes së çmimit të rrymës Qytetarët e Kosovës po shprehin shqetësim të madh pas paralajmërimeve për rritje të re të çmimit të energjisë elektrike. Faturat e larta të rrymës tashmë po rëndojnë buxhetin familjar, ndërsa shumë qytetarë thonë se nuk e dinë si do t’ia dalin nëse tarifat rriten sërish. Kompania Kosovare për Furnizim me Energji Elektrike (KESCO) i ka kërkuar ZRRE rritje të tarifave të energjisë elektrike deri në mbi 20 për qind për vitin 2026. Vendimi për këtë kërkesë pritet të merret më 1 prill. Qytetarë të ndryshëm kanë reaguar ndaj këtij paralajmërimi. Sherafedin Kulinxha thotë se pensioni i tij nuk mjafton për të përballuar rritjen e vazhdueshme të çmimeve, ndërsa Bashkim Muçiqi e cilëson këtë paralajmërim si skandal. Edhe Blerim Krasniqi shprehet se një vendim i tillë do të ishte i papërballueshëm për shumë familje dhe kërkon ndërhyrjen e qeverisë. Ndërkohë, Muharrem Kasumi thekson nevojën për një politikë energjetike më të mençur dhe për një qasje strategjike në sektorin e energjisë, duke përfshirë në vendimmarrje institucionet, opozitën dhe qytetarët. Sipas hulumtuesit të lartë në INDEP, Dardan Abazi, rritja e çmimeve lidhet me disa faktorë, përfshirë vonesat në prodhimin e brendshëm të energjisë, zvarritjen e hapjes së tregut dhe varësinë nga importet me çmime të larta. KESCO ka kërkuar që të hyrat e lejuara maksimale për vitin 2026 të arrijnë në 528.78 milionë euro. Pas shqyrtimit të kërkesës, ZRRE do të vendosë nëse do ta miratojë apo jo rritjen e tarifave. Kujtojmë se në maj të vitit 2025 ishte miratuar rritja e çmimit të energjisë për 16.1 për qind krahasuar me vitin 2024, ndërsa më 2023 ishte aprovuar rritje prej 15 për qind. — Dragash Info