Sorensen: Kurti është zotuar ta amendamentojë Ligjin për të Huajt, prioritet lejet për punëtorët dhe studentët për 12 muaj
Sorensen: Kurti është zotuar ta amendamentojë Ligjin për të Huajt, prioritet lejet për punëtorët dhe studentët për 12 muaj Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë–Serbi, Peter Sørensen, ka deklaruar se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është zotuar të bëjë amendamente në Ligjin për të Huajt, në mënyrë që të mos ndërpritet ofrimi i shërbimeve bazike për qytetarët. Pas takimit me Kurtin, Sorensen tha se Bashkimi Evropian e mirëpret përkushtimin e institucioneve të Kosovës për sundimin e ligjit dhe vendimin për zbatimin gradual të ligjit për të huajt dhe atij për automjetet. Sipas tij, ky proces do të shoqërohet edhe me një fushatë vetëdijësuese për qytetarët që preken nga këto ligje. “Kemi parasysh përpjekjet e Qeverisë së Kosovës për integrimin e institucioneve dhe përfshirjen e komuniteteve në harmoni me zotimet që kanë dalë nga marrëveshjet me BE-në, si dhe zotimin e kryeministrit Kurti për amendamentimin e ligjit në mënyrë që të mos ndërpritet ofrimi i shërbimeve brenda kornizës ligjore ekzistuese”, ka deklaruar Sorensen. Ai theksoi se këto ndryshime ligjore kërkojnë kohë dhe duhet të realizohen përmes një procesi gjithëpërfshirës, në përputhje me marrëveshjet e arritura në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë. Sorensen bëri të ditur gjithashtu se janë zhvilluar konsultime edhe me përfaqësues të komunitetit serb në Kosovë për të gjetur pajtim rreth këtij procesi. Sipas tij, prioritet kryesor është sigurimi i lejeve të qëndrimit për punëtorët dhe studentët për një periudhë fillestare prej 12 muajsh, në mënyrë që të mos pengohet ofrimi i shërbimeve shëndetësore dhe arsimore. Ai shtoi se për këtë proces duhet të lejohet edhe njohja e letërnjoftimeve ekzistuese deri në vitin 2026, ndërkohë që Qeveria e Kosovës do të vazhdojë regjistrimin e qytetarëve në përputhje me ligjin dhe statusin e tyre civil. — Dragash Info