Qendrore

Kurti: Leje të përkohshme qëndrimi për 12 muaj për studentët dhe punëtorët serbë

14.03.2026. 3 min čitanja

Kurti: Leje të përkohshme qëndrimi për 12 muaj për studentët dhe punëtorët serbë Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar se Qeveria e Kosovës do t’u ofrojë leje të përkohshme qëndrimi për një periudhë 12-mujore studentëve dhe punëtorëve serbë që janë të angazhuar në sektorin e arsimit dhe shëndetësisë në vend. Këto deklarata Kurti i bëri pas takimit me të dërguarin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë–Serbi, Peter Sørensen, ku u diskutua edhe për zbatimin e Ligjit për të Huajt dhe çështjen e automjeteve. Sipas Kurtit, Qeveria do të pajiset nga krerët lokalë të komunave me shumicë serbe me listat e stafit shëndetësor dhe akademik që janë të angazhuar në ofrimin e shërbimeve në Kosovë. Këto lista më pas do të përdoren nga Ministria e Punëve të Brendshme si bazë për dhënien e lejeve të përkohshme të qëndrimit për qytetarët e huaj që aplikojnë. Ai theksoi se e njëjta procedurë do të vlejë edhe për studentët e huaj që qëndrojnë në Kosovë. Sipas tij, pas dorëzimit të listave nga komunat, Ministria e Punëve të Brendshme do t’u lëshojë studentëve leje të përkohshme qëndrimi për 12 muaj, me mundësi vazhdimi. Kurti shtoi se nuk është në interesin e Kosovës që zbatimi i ligjit të krijojë pengesa në ofrimin e shërbimeve bazike për qytetarët, por theksoi se qëndrimi i institucioneve është i qartë se në Kosovë “nuk mund të ketë mekanizma ilegalë”. Po ashtu, ai bëri të ditur se Qeveria do të hapë një afat të ri tre-mujor për regjistrimin e gjendjes civile për qytetarët serbë. Në këtë periudhë, ata do të mund të regjistrojnë faktet civile që deri më 15 mars 2026 janë regjistruar nga strukturat ilegale. Gjatë këtij procesi, aplikantëve do t’u lejohet që si mjet identifikimi të përdorin edhe letërnjoftimet e lëshuara nga këto struktura, vetëm për qëllime të regjistrimit në institucionet e Kosovës. — Dragash Info