“KFOR-i në Kosovë deri të normalizohen raportet me Serbinë”, Zvicra synon zgjatjen e mandatit të ushtrisë deri më 2029
Zvicra synon zgjatjen e mandatit të ushtrisë në Kosovë deri më 2029 në kuadër të KFOR-it Parlamenti i Zvicrës ka miratuar në parim zgjatjen e vendosjes së trupave zvicerane në Kosovë në kuadër të misionit paqeruajtës KFOR deri në fund të vitit 2029. Vendimi është marrë nga Këshilli i Shteteve, dhoma e lartë e parlamentit zviceran, me 37 vota pro, 2 kundër dhe 4 abstenime. Përmes këtij dekreti federal, Këshilli Federal i Zvicrës kërkon nga Asambleja Federale që të zgjasë mandatin e pjesëmarrjes së ushtrisë zvicerane në Kosovë duke ruajtur numrin aktual të trupave. Megjithatë, autoritetet zvicerane kanë lënë të hapur mundësinë që numri i ushtarëve të rritet deri në 30 trupa shtesë, nëse situata e sigurisë përkeqësohet dhe nëse KFOR kërkon mbështetje shtesë. Ministri zviceran i Mbrojtjes, Martin Pfister, ka deklaruar se situata aktualisht është e qetë, por mbetet e brishtë, sidomos në veri të Kosovës, ku sipas tij tensionet etnike vazhdojnë të jenë të pranishme. Forcat e Armatosura të Zvicrës marrin pjesë në misionin paqeruajtës në Kosovë që nga tetori i vitit 1999, përmes kontingjentit të tyre Swisscoy. Aktualisht numri maksimal i personelit zviceran në këtë mision është 215 ushtarë, ndërsa mandati aktual pritet të përfundojë në fund të vitit 2026. Sipas njoftimit, pas incidenteve të rënda të sigurisë në vitin 2023, NATO kishte përforcuar dy herë praninë e KFOR-it në Kosovë. Aleanca dhe vendet pjesëmarrëse vlerësojnë se misioni duhet të vazhdojë derisa të normalizohen marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë. — Dragash Info