Gjykata Kushtetuese pezullon përkohësisht dekretin e Presidentes për shpërndarjen e Kuvendit
Gjykata Kushtetuese pezullon përkohësisht dekretin e Presidentes për shpërndarjen e Kuvendit Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës ka vendosur masë të përkohshme deri më 31 mars, duke pezulluar efektin e dekretit të Presidentes së Kosovës Vjosa Osmani për shpërndarjen e Kuvendi i Kosovës. Sipas vendimit të Gjykatës, masa është vendosur ex officio dhe ndalon çdo veprim të Presidentes në lidhje me dekretin e datës 6 mars, si dhe çdo veprim të Kuvendit të Kosovës që lidhet me këtë çështje, derisa masa e përkohshme të mbetet në fuqi. Gjykata ka sqaruar se ky vendim synon parandalimin e dëmit të pariparueshëm për rendin kushtetues dhe funksionimin demokratik të institucioneve kyçe në vend. Ky zhvillim nënkupton se Presidentja Osmani nuk mund të shpallë datë për zgjedhje të reja derisa të përfundojë shqyrtimi i rastit dhe të merret një vendim përfundimtar nga Gjykata. Kërkesa për vlerësimin e kushtetutshmërisë së dekretit është dorëzuar nga Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në emër të Qeverisë së Kosovës, duke kërkuar edhe vendosjen e masës së përkohshme për pezullimin e menjëhershëm të dekretit. Sipas kërkesës, dekreti mund të jetë në kundërshtim me disa nene të Kushtetutës së Kosovës, përfshirë: • Nenin 4 – Forma e qeverisjes dhe ndarja e pushtetit • Nenin 7 – Vlerat • Nenin 16 – Epërsia e Kushtetutës • Nenin 82.3 – Shpërndarja e Kuvendit • Nenin 84.2 – Kompetencat e Presidentit • Nenin 86.2 – Zgjedhja e Presidentit Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës ka njoftuar se palëve të përfshira – Kryeministrit, Presidentes dhe Kryetares së Kuvendit – u është kërkuar të dorëzojnë komentet dhe dokumentacionin e nevojshëm deri më 11 mars 2026, para se të merret vendimi përfundimtar. — Dragash Info