🕊️ Ndahet nga jeta studiuesi i Opojës dhe Prizrenit, Enver Batiu Është ndarë nga jeta studiuesi dhe mësimdhënësi i nj…
🕊️ Ndahet nga jeta studiuesi i Opojës dhe Prizrenit, Enver Batiu
Është ndarë nga jeta studiuesi dhe mësimdhënësi i njohur i trevës së Opojës dhe Prizrenit, Enver Batiu, një emër i respektuar në fushën e historisë dhe studimeve albanologjike.
Enver Batiu ishte një intelektual i përkushtuar, i cili veprimtarinë e tij arsimore dhe shkencore e nisi në vitet ’70 në trevën e Opojës, për ta vazhduar më pas në Prizren. Ai dha kontribut të çmuar në arsim, si dhe la gjurmë të rëndësishme në historiografinë shqiptare, veçanërisht në studimet për Opojën, Gorën dhe figura të shquara kombëtare.
Ndër veprat e tij më të njohura janë studimet “Opoja trevë e lashtë shqiptare” dhe “Qasje antishkencore e Jastrebovit për Opojen e Gorën”, të përfshira edhe në librin Opoja – aspekti historik. Një vëmendje të veçantë ai ia kushtoi figurës së Ymer Prizrenit, duke trajtuar trashëgiminë, gjenealogjinë dhe veprimtarinë e tij historike, si dhe botoi recensione e studime për personalitete të tjera të rëndësishme.
Së fundmi, Enver Batiu botoi librin “Shtrembërimet e Jastrebovit për Opojen e Gorën”, duke dëshmuar angazhimin e tij të pandërprerë shkencor deri në fund të jetës.
Punimet e tij janë botuar në libra dhe revista shkencore, përfshirë edhe revistën Sharri.
Me ndarjen e tij nga jeta, historiografia shqiptare humbi një studiues serioz, këmbëngulës dhe të ndershëm shkencërisht.
Vepra e Enver Batiut mbetet një dëshmi e çmuar e përkushtimit intelektual dhe e ndriçimit të çështjeve historike që ai trajtoi me pasion dhe përgjegjësi.
— Dragash Info